|
Më datë 21 Nëntor 2009 në ambjentet e Pallatit të Brigadave në Tiranë u organizua aktiviteti me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve.
Ky aktivitet u realizua në sajë të UNICEF në Shqipëri dhe bashkëpunimit me Qendrën EDEN.
Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshëm, si: Z. Bamir Topi, Presidenti i Republikës së Shqipërise, Z. John Withers, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z.Ilir Meta Zv.Kryeministrër i Shqipërisë, përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri, Drejtori i Delegacionit të Komisionit Europian si dhe përfaqësues nga OJF të ndryshme, prindër, mësues dhe nxënës të shkollave të ndryshme.
Ky aktivitet ishte një thirrje ndaj medias prezente, për të hedhur vështrimin edhe nga fëmijët, për të dëgjuar shqetësimet e nevojat e tyre si dhe që pjesëmarrja e fëmijëve në shoqëri të jetë më e madhe.
Në këtë festim u zhvilluan aktivitete të ndryshme ku rolin kryesor e paten fëmijët.
U realizua një performim nga një grup të rinjsh muzikor rrom; këngë të ndryshme nga grupe rinore; u dha shfaqje nga grupi i animatorëve shqiptar si dhe kënde të ndryshme lojrash e zbavitjesh.
Gjithashtu u dha informacion rreth organizatave jofitimprurëse për punën që ato bëjnë me fëmijët e shkollave.
Qendra EDEN së bashku me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” organizuan lojra të ndryshme, në kuadër të programit të Edukimit Mjedisor me anë të materialeve didaktike. Ata realizuan matjen e lartësisë së pemëve me anë të trekëndëshit këndrejtë, kthjelltësinë e ujit me anë te diskut të Sekit si dhe kapën insekte të ndryshme dhe i identifikuan ato me anë të çelësave identifikues.
Këta fëmijë duke vënë në dukje të drejtat e tyre, u veshën me bluza të bardha nën logon,
“CLEEN, Mbani pastër mjedisin” mblodhën mbeturinat e hedhura në tokë përgjatë gjithë aktivitetit dhe i hodhen ato në koshat metilike që secili kishte në dorë.
|