|
Qendra EDEN, më datë 6 Korrik 2010, ora 11:00 organizoi inagurimin e instalimit të paneleve diellore në ambjentet e çerdhes nr. 8 në Tiranë me qëllim ngrohjen e ujit sanitar dhe sistemit ngrohës.
Ky inagurim ishte rrjedhojë e projektit “Energjia diellore-alternativë promjedisore dhe ekonomike” ku konsistonte në promovimin e energjisë diellore në institucionet publike si energji alternative miqësore me mjedisin. Zbatimi i këtij projekti u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të Bashkisë Tiranë, Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, REC si dhe Qendrës Mjedisore EDEN.
Ishin të ftuar: Z. H.E. Henk G.C. Van Den Dool, Ambasadori i Vendeve të Ulta në Tiranë; Z.Edi Rama, Kryetari i Bashkisë Tiranë; Z. Mihallaq Qirjo, Drejtori Ekzekutiv i REC; Znj. Ermelinda Mahmutaj, Drejtore Aktive e Qendrës EDEN; përfaqësues nga Drejtoria nr. 3 e Punëtorëve të Qytetit Tiranë; përfaqësues nga QEZHEF; prindër, stafi i çerdhes si dhe rol kryesor luajti dhe media e pranishme.
Fillimisht aktiviteti vijoi me fjalët përshëndetëse nga drejtoresha aktive e Qendrës EDEN Znj. Mahmutaj ku theksoi rëndësinë e projektit duke bërë një prezantim të shkurtër të tij si dhe vlerësoi praninë dhe mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ambasadës Hollandeze si dy partnerë të përhershëm.
Z.Van Den Dool theksoi rëndësinë dhe vazhdimësinë e projekteve promjedisore, ku puna dhe kontributi i të gjithëve ishte i madh. A e cilësoi këtë nismë si hapi i parë për fillimin e projekteve dhe investimeve të tilla. Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Rama e përforcoi këtë mesazh duke u shprehur se ky ishte vetëm një projekt pilot ku do të shërbejë si një gur themel për një ndërtesë të fortë dhe të sigurt për fëmijët tanë.
Më pas të ftuarit vizituan disa ambjente sanitare të çerdhes për të testuar praninë e ujit të ngrohtë dhe për të parë se si ky investim ishte realizuar në të gjitha hapat e tij.
Qendra EDEN, Bashkia Tiranë dhe QEZHEF( Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve)me anë të të këtij projekti synuan përmirësimin e cilësisë së jetesës së 272 fëmijëve dhe 40 edukatorve të çerdheve nr. 1 dhe nr.8 në Tiranë përmes promovimit të energjisë diellore si energji alternative dhe miqësore me mjedisin për ngrohjen e ambjenteve gjatë periudhës së dimrit si dhe ngrohjen e ujit sanitar përgjatë gjithë vitit.
Energjia diellore po shihet gjithnjë e më tepër si energji alternative dje si një mënyrë për të reduktuar ndikimin në mjedis të shkaktuar nga metodat kryesore të prodhimit të energjisë. Duke u konsideruar energji e rinovueshme ( e gjelbër) ajo gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e vendimarrësve. Në Shqipëri përdorimi i kësaj alternative është ende në hapat e para dhe e përdorur kryesisht nga sektori privat ( vetëm për ngrohjen e ujit sanitar).
|