Cdo ditë është dita e Tokës

22 Prilli, Dita Botërore e Tokës është këtu përsëri, për të na kujtuar se kemi përgjegjësi që kalojnë  përtej shtëpisë tonë.  Është një ditë e veçantë për ti shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështet të gjitha format e jetës.

Është bërë tashmë traditë që për Ditën e Tokës, shumë qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar falin pak nga koha e tyre për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, përuruar një lulishte apo për të marrë pjesë në evente që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore.

Kanë kaluar tashmë 40 vjet që nga dita e parë e festimit të Ditës së Tokës, 22 Prill 1970, kur 20 milion njerëz u bashkuan në një nga manifestimet më të mëdha të opinionit publik në histori, me synimin për ti dhënë zë shqetësimit të tyre mbi situatën e mjedisit në atë kohë, dhe për të treguar mbështetjen e tyre në mbrojtje te tij.

Që prej atij momenti, Dita e Tokës na sfidon për të marrë seriozisht punën tonë si kujdestarë të mjedisit natyror. Na frymëzon për të menduar përtej mbijetesës sonë – për të vepruar në emër të këtij planeti që ne e ndajmë me të gjithë banorët e tjerë të tij.
E nëse Dita e Tokës na bën të mendojmë se si mund të bëjmë të mundur që ajri që thithim dhe uji që pijmë apo mjedisi ku jetojmë është i pastër, atëherë ajo e ka bërë punën e saj. Nëse Dita e Tokës na bën të shqetësohemi rreth mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe biodiversitetit të saj, shfrytëzimit të burimeve natyrore, atëherë ajo i ka shërbyer qëllimit.

Këtë vit Dita e Tokës u festua në Rr. “Ismail Qemali”, nga një bashkëpunim i Qendrës Mjedisore EDEN me Bashkinë Tiranë, Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe UNICEF nën moton “Kujdesu për Mua – Çdo ditë është Dita e Tokës”.
Ishin të ftuar kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Edi Rama, ambasadori i Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë Z.H.E. Henk G.C. Van Den Dool, drejtori i UNICEF Z.Detlef Palm,     shkolla të ndryshme 9-vjeçare të Tiranës si dhe përfaqësues nga OJF të ndryshme.
Ky aktivitet nisi me paradat mjedisore nga fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Tiranës. Përmendim këtu paradën e fëmijëve me veshje të riciklueshme të cilat ishin të përgatitura nga vetë ata, parada me posterat me mesazhe dhe logo ndërgjegjësuese si dhe parada me çanta rrobe me logon e Ditës së Tokës dhe të pikturuara nga vetë fëmijët.

Në këtë 40 vjetor të Ditës së Tokës fëmijët promovuan sjelljet pozitive ndaj mjedisit si dhe përcollën sfidat e të ardhmes për cilindo. Gjithashtu pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe paraqitja e punimeve të fëmijëve të shkollave të ndryshme të Tiranës në kuadër të projektit CLEEN si dhe materiale promovuese për reduktimin e mbetjeve në kuadër të fushatës “Vepro Tani!”

Rritja e përgjegjësisë individuale është çelësi për të lëvizur nga ndërgjegjësimi drejt veprimit, gjë që do ta kthejë njeriun në ekuilibër me natyrën.
Pavarësisht se çfarë roli kemi: qytetar apo konsumator, prodhues apo promotor, vendimmarrës apo gjykatës, ne të gjithë kemi një rol për të luajtur, kemi përgjegjësi specifike për të arritur, nëse me të vërtetë duam që të thithim ajër të pastër, të pijmë ujë të freskët, të kemi rrugë të qeta, pejsazhe të mbrojtura, pra një vend më të shëndetshëm për të jetuar.

Në përfundim, duhet të kujtojmë se mbrojtja e Mjedisit është një proçes dhe jo një fund. Vetëkënaqësia nuk duhet të jetë kurrë një opsion i vlefshëm kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e elementëve bazë të jetës sonë  Por ne duhet të veprojmë tani. Sa më gjatë të presim, aq më shumë e vështirë do të jetë ruajtja e ekuilibrit për të cilin kemi nevojë.