Konsultimi me publikun zbulon projektin zhgënjyes të Unazës së Madhe të Tiranës

Konsultimi i parë me publikun mbi projektin aq shumë të përfolur të Unazës së Madhe të Tiranës  u mbajt sot pranë Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Kjo konsultë mbahet 15 ditë pas fillimit të punimeve që shkatërruan 1 ha nga Kopshti Botanik në Tiranë.

Projekti i paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve u përball me kritika mjaft të ashpra nga të pranishmit në takim, të cilët vunë theksin mbi mungesën e një studimi të thellë dhe të azhornuar. Ai nuk llogarit emetimet në ajër, në ujë dhe prodhimin e zhurmave gjatë fazës së ndërtimit dhe funksionimit kur automjetet e tonazhit të rendë do të kalojnë në rrugën me 8 korsi. Për më tepër projekti bazohet në planet urbanistike të vitit 1989. Në atë kohë zona e Komunës së Parisit, ku planifikohet të kalojë rruga, ka qënë gati e pabanuar ndërsa sot ajo përbën një nga zonat me densitet më të lartë të popullsisë në Tiranë.

Studimi mjedisor (VNM) i projektit u kritikua gjithashtu së bashku me tërë procesin e konsultimeve. Të pranishmit e konsideruan studimin shumë të keq përgatitur më gabime dhe gafa të rënda.

Si mund të shkruash për plantacione gruri, misri dhe bimë foragjere në një zonë ku ka vëtëm pallate dhe një Kopësht Botanik? Këto gafa në raport tregojnë vetëm se sa i dyshimtë dhe joserioz është ky studim – thotë Liri Dinga, profesore e Fakultetit të Shkencave të Natyrës e cila ka punuar në kopshtin Botanik për më shumë se 40 vjet.

OJQ-të mjedisore të pranishëm e kundërshtuan gjithashtu procesin e konsultimeve bashkë me cilësi të ulët të studimit mjedisor. Sipas përfaqësuesëve të Qendrës mjedisore EDEN nuk i është lënë kohë e mjaftueshme publikut për t’u njohur të studimi, pasi ky i fundit u bë publike vetëm pak ditë para se të mbahej konsultimi.

Në fillim presin pemët dhe me pas kthehen e organizojnë konsultime me publikun. Sipas legjislacionit shqiptar studimi VNM i duhet vënë në dispozicion publikut për plot një muaj, ndërsa në këtë rast janë lënë vetëm gjashtë ditë.  Për më tepër VNM-ja e paraqitur nuk është e plotë dhe vetë përpiluesi, Z. Sazan Guri, pranoi se ai nuk ka patur kohë të mjaftueshme për ta përfunduar atë. Ne nuk e kuptojmë gjithë këtë nxitim, por ligji është i qartë dhe qeveria duhet ta respektojë atë - thotë Elona Saro nga Qendra EDEN.

Projekti aktual i Unazës së Madhe të Tiranës, vlerësimi mjedisor si dhe i gjithë procesi u kundërshtuar fuqishëm nga publiku, profesorë, teknikë dhe organizatat e shoqërisë civile. Të gjithë kërkuan kohën e nevojshme që një investim të tillë i rëndësishëm dhë shumë i shternjtë të studjohet dhe planifikohet  mirë e në përputhje me rrethanat aktuale. Është ende për tu parë nëse Ministria e Mjedisit do vazhdojë të konsiderojë dhenien e dritës së gjelbër për projektin në këtë fazë.

Dita e Tokës 2011, një panair me miliarda veprime të gjelbërta

“1 Miliard  veprime të gjelbërta” ishte mesazhi i Ditës së Tokës 2011 i cili që zgjoi  dëshirën e qendrës EDEN për të festuar ndryshe !
Në një bashkëpunim të përhershëm me Ambasadën Amerikane dhe Bashkinë Tiranë, Qendra EDEN vazhdon traditën, duke festuar Ditën e Tokës 2011 në nje aktivitet dyditor. Më  21 Prill, në ambjentet gjelbëruese të  Galerisë së Arteve në Tiranë, dhe me 22 Prill ne  Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Aktivitetet mblodhën në një vend e në një kohë të vetme mijëra miq të mjedisitdhe zgjati  prej mengjesit e deri pas mesdite.

Festimi filloi më date 21, me fjalët përshëndetëse të drejtores ekzekutive të qendrës EDEN,  Znj. Ermelinda Mahmutaj, e cila ndër të tjera theksoi  rendësinë e aktiviteteve të tilla. Ajo falenderoi gjithë pjesëmarrësit si dhe Ambasadën Amerikane dhe Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e tyre të fortë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për promovimin e nismave të tilla.

Aktiviteti vijoi me paradën e veshjeve  me materiale të ripërdorura të stiluara nga shkolla Eurovizion e cila tërhoqi vëmendjen e gjithë të ftuarëve, që më pas vazhduan me vizitën në panairin e gjelbërt. Ai niste me këndin e bizneseve që promovonin produktet bio, vazhdonte me  organizatat mjedisore që promovonin veprimatritë  e tyre të gjelbërta gjatë vitit 2011 dhe mbyllej me këndin e ditës së tokës në vite. Në këtë kend ishin pasqyruar për të pranishmit të gjitha aktivitetet dhe materialet promovuese të zhvilluara ndër vite në traditën e festimit të Ditës së Tokës . Në një çarçaf  të bardhë u pikturura logoja  e Vitit Ndërkombëtar të Pyjeve nga vullnetarët e  EDEN-it, i cila më pas filloi të ngjyrosej nga të ftuarit dhe nga Znj. Elisabeth Leëis, drejtoreshë e zyrës së mardhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane.
T’i bashkoheshe grupit të fëmijëvë të cilët pikturonin çantat prej beze duke treguar një shembull si të shmangin përdorimin e qeseve plastike ishte një kënaqësi e veçantë. Ciltërsia e fëmijëve, pastërtia e tyre të bënte të kuptoje se kjo tokë i përket të gjithëve dhe më shumë akoma brezave të rinj.

Aktivitetit nuk i mungoi as ekspozita e fotografive “Rendësia e ujit në fotografi” i cili tërhoqi kureshtjen e shumë kalimtarëve të rastit.
A nuk i shtohet këtyre veprimeve të gjelbërta edhe një më shumë duke shtrirë  festimin e ditës së tokës edhe me tej?
Me këtë vizion qendra EDEN promovoi sërish më 22 Prill 2011, në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta festimin e ditës së Tokës.
Aktiviteti u zhvillua në  kuadër të projektit“Të rikthejmë në jetë Lagunën e Karavastasë” me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës Amerikane . Aktivitetet që vijuan ishin të shumta, si: minifestival nga grupi i fëmijëve të Qendrës Kulturore;  këndi i materialeve promovuese për ekoturizmin;  prania e bizneseve dhe fermerëve me produkte biologjike; pastrim nga pjesëmarrësit në  zonën e plazhit  si dhe guidë e ofruar pjesëmarrësve nga grupi i Guidave Natyrore të Divjkaës në parkun kombëtar .

Po ti cfarë veprimi të gjelbër ndërmore në Ditën e Tokës?
 

Çështja e Kopshtit Botanik në tryezën e ndërkombëtarëve

Lufta e organizatave të shoqërisë civile për të shpëtuar Kopshtin Botanik në Tiranë duket se do të vazhdojë deri në gjetjen e alternativës më të mirë për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës pa cënuar institucionin akademik.

Qendra mjedisore EDEN, mbështetur nga organizatat e aleancës për mbrojtjen e kopshtit Botanik, i ka dërguar dje përfaqësisë ndërkombëtare ne Shqipëri, një letër ku kërkojnë mbështetjen në shpëtimin e Kopshtit Botanik në Tiranë. Në këtë lëtër vlerësohet rëndësia e Unazës së Madhe të Tiranës, por edhe vlerat unike të Kopshtit Botanik kombëtar.

Qendra EDEN vendos theksin mbi mungesën e proçedurave transparente gjatë planifikimit të projektit  për Unazën e Madhe të Tiranës si dhe përjashtimin e shoqërisë civile dhe vete institucionit përgjegjës për administrimin e Kopshtit Botanik, Fakultetit të shkencave të natyrës.

“Ne besojmë se këto praktika të mungesës së transparencës, mohimit të pjesmarrjes pulike në vendimarrje si dhe shkatërrimit të vlerave unike akademike të vendit, janë elemente kyçe që do të ndikojnë negativisht në rrugentimit, tashmë boll të ngadaltë, të Shqiperisë drejt Bashkimit Europian.”- shkruan Znj. Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e Qendres EDEN, në letrën drejtuar Delegacionit Europian dhe perfaqesive të tjera diplomatike në Shqipëri.

Qendra EDEN kërkon nga komuniteti i donatorëve në Shqipëri mbeshtetjen e tyre përmes influencimit të Qeverisë Shqiptare për të respektuar ligjet ekzistuese të shtetit Shqiptar si dhe konvetat që ka ratifikuar; konsiderimin e vlerave natyrore dhe akademike të një rendësie të barabartë me projektet e zhvillimit si dhe vlerësimin e alternativave të tjera për ndertimin e Unazës së Madhe të Tiranës pa prekur integritetin territorial te Kopshtit Botanik të Tiranës.

“Ne do ta vazhdojmë fushatën tonë për mbrojtjen e Kopshtit Botanik Kombetar deri në zbatimin e përpiktë të ligjeve Shqiptare në fuqi. Pavarësisht rëndësisë së ndertimit të Unazës së Madhe të Tiranes, autoritet Shqiptare nuk duhet të nenvlerësojnë vlerat akademike të të vetmit Kopësht Botanik në Shqiperi. Ky i fundit, ndër të tjera, përmbush nevojat akademike të me shume se njëmijë studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës çdo vit”  - thote Anisa Xhitoni, koordinatore për programin e informimimit dhe pjesmarrjes publike pranë Qendrës EDEN.    
 

Mund të shkarkoni letrën drejtuar Komunitetit Nderkombetar.

Organizatat e shoqërisë civile reagojnë menjehere ndaj prishjes se Kopshtit Botanik në Tiranë

Tiranë, Shqipëri – Plot 33 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, i drejtohen sot Z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërise me një letër të hapur  për të ndaluar shkatërrimin e Kopshtit Botanik në Tiranë. Ky institucion me vlera kombëtare shkencore, studimore dhe shlodhëse rrezikon të prishet nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, punimet për të cilën kanë filluar dy ditë më parë.

Patëm reagimin e menjëhershëm të shumë organizatave nga e gjithë Shqipëria dhe ende tani, pasi letra është dërguar, shumë të tjera japin mbeshtetjen e tyre” – thotë Ermelinda Mahmutaj nga Qendra EDEN, një nga organizatat mbështetëse të letrës drejtuar Kryeministrit.

Në këtë letër oranizatat theksojnë rëndësinë e Kopshtit Botanik si dhe kërkojnë zbatimin e proceseve transparente në ndërimin e projektit te Unazës së Madhe të Tiranës. Gjatë planifikimit të projektit, sipas legjislacionit Shqiptar në fuqi, duhet të përfshihen në vendimarrje palët e interesuara e sidomos vetë Kopshti Botanik e Univeristeti i Tiranës që preken drejt për drejt nga ky investim.

Nese autoriteti i një vendi varet nga vlerat që i trashëgon nga njeri brez në tjetrin, ateherë Kopshti Botanik është një vlerë e tillë, që jo vetem duhet mbrojtur, por duhet përmiresuar akoma më shumë” – thotë Petrit Hoda, përgjegjës i Kopshtit Botanik

Projekti aktual i Unazës së Madhe të Tiranës është i dyti i përgatitur për të njëjtin qëllim. Projekti i parë, i promovuar nga Bashkia e Tiranës, studimi i të cilit është financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkurt të vitit 2009  e prek Kopshtin Botanik vetëm në pjesën e gardhit. Projekti i dytë, i përgatitur në Gusht 2010 e aktualisht i vlefshëm, i promovuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dëmton 25% të territorit të Kopshtit Botanik. Në të dyja këto projekte ka munguar proçesi i konsultimeve me publikun, ose ai nuk ka qënë i plotë.

Ne nuk jemi kundër ndërtimit të Unazes se Madhe të Tiranës dhe mendojmë se ky projekt do të ndikojë pozitivisht në lehtesimin e trafikut dhe cilësinë e ajrit në Tiranë. Megjithate, Kopshti Botanik është një kosto shumë e lartë për t’u paguar. Në kërkojmë që të shqyrtohen alternativa të tjera të ndërtimit të kësaj vepre pa prekur integritetin territorial të Kopshtit Botanik Kombëtar” -  thotë Anisa Xhitoni nga Qendra EDEN.

Cilido nga projekt e përgatitura, përpara se të nisë zbatimin, duhet të konsultohet së pari me palët e interesuara, e sidomos me autoritet e Univeristetit te Tiranës e të Kopshtit Botanik, gjë e cila deri me sot nuk ka ndodhur” – shton ajo.  

Kopshti Botanik i Tiranës është themeluar në vitin 1971 dhe zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha. Në të rriten rreth 1.400 lloje dhe nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë. Ai, sebashku me Herbarin Kombetar dhe Muzeun e Shkencave te Natyres janë pjesë e të vetmit Institut Studimor të Florës dhe Faunës në Shqipëri.

 

Në 8 Mars, qendra EDEN thërret sërish VEPRO TANI!

Sikundër 1 vit më parë më 8 Mars, edhe sot në dyqanet e luleve dhe dhuratave në Tiranë dhe rrethinat e saj, nënat e marrin dhuratën e tyre më një mesazh të fortë për mjedisin “E shtrenjta nënë, kujdesu për mjedisin si për fëmijën tënd!”
Mesazhi transmetohet i shkruar në një kartolinë urimi me lulen simbolike të festave të marsit, mimozën (Acacia dealbata).

Vullnetarët e qendrës EDEN, të organizuar në grupe, shpërndanë falas një ditë më parë në dyqanet e luleve dhe dhuratvë në Tiranë dhe rrethinat e saj kartolinat e urimit. Ky aksion zgjati gjithë paraditen dhe me modesti vullnetarët pranojnë suksesin e tij. “Të kesh interesin e targetit kur shpërndan materilae është shumë  e veshtirë, ndërsa për ne kjo eksperiencë kësaj here ishte shumë e thjeshtë. Dyqanet dukej sikur mezi na prisnin duke na referuar sa të pëlqyera nga klientët kishin qenë kartolinat ”- shprehet Lira Hakani, një nga vullnetaret e qendrës.


Qëllimi i këtij veprimi është ndërgjegjësimi i publikut të gjerë për cështjet mjedisore dhe kontributi i gjithsecilit në përmirësimin e situatës. Më specifikisht brenda këtij qëllimi, mesazhi ynë i drejtohet nënave si qëniet më të ndjeshme.

Këto kartolina janë prodhuar nga qendra EDEN një vit më parë gjatë zbatimit të fushatës për menaxhimn e mbetjeve në Shqipëri. Kjo ishtë pjesë e fushatës kombëtare “Vepro Tani!”   të menaxhuar nga Milieukontakt International, zyrat lokale Shqipëri me fonde të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.